E tmerrshme: I moshuari sulmon seksualisht 12-vjeçaren në Podujevë

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë të miturat, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, e shumë herë edhe të moshuar.

Një rast i tmerrshëm dyshohet të ketë ndodhur sot në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, ku një person ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 12-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e disa zyrtarëve policorë që ishin në detyrë, ku e shqetësuar tej mase ka deklaruar se një person i moshuar ka kapur për dore dhe i ka kërkuar që të largohen së bashku.

Të miturës i është ofruar edhe tretman mjekësor, ndërkohë që është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar.

Sinjali mëson se i dyshuari është një 74-vjeçar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Sulm seksual’.

Lexo edhe:  Pamje nga aksidenti i tmerrshëm në Ferizaj, ku vdiqën 4 persona