E tmerrshme: Burri kosovar e rrah brutalisht bashkëshorten, e bën për spital
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.
Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.
Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur në fshatin Mogillë të Kllokotit, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 42-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se pas një konflikti me bashkëshortin e saj, ai e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me një shkop druri.
Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka marrë lëndime dhe është dërguar në spital për tretman mjekësor.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 45-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.