E sulmoi një 24-vjeçare në mes të rrugës në Prishtinë, ky është i dyshuari që përfundoi në ndalim policor
Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se kështu po cenohet siguria.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë, ku një 24-vjeçare dyshohet se është sulmuar nga një person.
I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe tashmë ndodhet në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa Sinjali ka mësuar identitetin e tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Euron Kadriun, 23-vjeçar, i cili për motive akoma të panjohura, e ka sulmuar fizikisht viktimën.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari fillimisht e kishte përcjellë viktimën, të cilës më pas i shkaktoi lëndime trupore si pasojë e goditjeve.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.