E rëndë: Vëllai ther me thikë motrën e tij në Obiliq, dërgohet në mbajtje

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje. Vazhdimisht në Polici raportohen raste të dhunës në familje, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë nga bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në rrugën ’11 Qershori’ në Obiliq, ku një person dyshohet se ka therur me thikë motrën e tij.

Sinjali mëson se viktima ka denoncuar rastin në Polici, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar të dyshuarin, ndërsa 28-vjeçaren e kanë dërguar për trajtim mjekësor.

Viktima pas marrjes së ndihmës së parë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, është dërguar në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Prishtinë.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me veprën për të cilën dyshohet, ndërkohë që u sekuestrua thika të cilën ai dyshohet se e përdori.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Kthehet në punë bashkëluftëtari i Adem Jasharit, që ishte shkarkuar nga Xhelal Sveçla dhe Albin Kurti