E rëndë: Vdes llapjani që u alivanos në mes të rrugës, vëllai i tij dyshon se nuk iu ofrua ndihma e duhur mjekësore

Një rast i rëndë ka ndodhur të hënën pasdite në familjen Blakçori në Podujevë, ku një burrë 62-vjeçar ka humbur jetën dhe tashmë kanë nisur hetimet për vdekjen e tij, që nga familjarët po konsiderohet si e dyshimtë. Vëllai i tij ka raportuar se të ndjerit nuk i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore dhe për pasojë i njëjti ka ndërruar jetë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Naser Blakçorin, që të gjithë e kanë njohur si “Cari”, i cili u alivanos dje pasdite dhe papritmas humbi jetën.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi mjekësor nga Emergjenca që kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenja vitale, është konstatuar se 62-vjeçari ishte pa shenja jete.

Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet përkatëse, teksa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe marrjen e të gjitha veprimeve që çojnë në zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.

Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes” dhe “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, me ç’rast pritet që të konfirmohen pretendimet për mos ofrimin adekuat të trajtimit mjekësor nga ana e ekipit të QKMF-së në Podujevë.

Rasti është konfirmuar tashmë edhe nga Policia e Kosovës.

“Lidhur me rastin njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit,  trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion, derisa në konsultim me prokurorin kompetent janë iniciuar rastet e lartcekura.  “

Lexo edhe:  Armend Xhoxhaj fantastik, fiton me noakut!! E bënë për spital kundërshtarin hungarez