E rëndë: Vdes kosovari i plagosur në Mal të Zi, babai i tij konfirmon lajmin tragjik

Një kosovar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në Podgoricë, pranë kodrës së Goricës, shkruan “Jepi zë”.

Viktima është Binak Kabashi, një kosovar nga Hasi por që ishte shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili fillimisht ishte raportuar si i plagosur rëndë dhe ishte dërguar në Qendrën Klinike të Malit të Zi (QKKM), ku iu nënshtrua ndërhyrjeve urgjente kirurgjikale. Fatkeqësisht, ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital.

Lajmin për ndarjen nga jeta të të riut e ka konfirmuar edhe babai i tij, Ali Kabashi, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.

“Shokë, miq, do ju njoftojmë me kohë për varrimin e djalit.”, shkruan ai me foton e bashkëngjitur.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:45 të së enjtes, si pasojë e një debati mes viktimës dhe një tjetër shtetasi shqiptar, E.B., 23 vjeç.

Sipas Policisë së Malit të Zi, autori u arrestua në kanionin e lumit Moraça, midis urave Blazov dhe Viseçi, pas një operacioni ku u angazhuan edhe Njësitë Speciale të Policisë.

Policia njoftoi se E.B. posedonte dokumente udhëtimi të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe ndaj tij janë ngritur akuza për vrasje.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje vijojnë.

Lexo edhe:  Urgjente: Infermieri që u shërbeu 25 vjet pacientëve, ka nevojë për ndihmën tuaj