E rëndë: Shtëpia e familjes Hyseni në Shtime përfshihet nga zjarri – evakuohen banorët, ndërhyjnë tri ekipe zjarrfikësish
Një incident i rëndë zjarri është raportuar herët në mëngjesin e së enjtes në fshatin Petrovë të Shtimes, ku një shtëpi banimi është përfshirë nga flakët, duke rrezikuar edhe shtëpitë përreth.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 24 korrik 2025 rreth orës 05:30, ka shpërthyer zjarr në shtëpinë e Almedin Hysenit, ndërsa në momentin e ngjarjes familjarët kishin arritur të largohen në kohë nga objekti, duke shmangur pasoja në njerëz.
Për shkak të intensitetit të lartë të flakëve, fillimisht kanë intervenuar zjarrfikësit e Shtimes, por për shkak të përmasës së rrezikut, janë alarmuar dhe mobilizuar edhe njësitë e Ferizajt dhe Lipjanit, të cilat janë angazhuar për të ndihmuar në lokalizimin e zjarrit.
Në koordinim me autoritetet lokale, është njoftuar edhe KEDS, me qëllim të ndalimit të furnizimit me energji elektrike në drejtim të fshatit Petrovë, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të rrezikut.
Pas intervenimit të përbashkët të ekipeve emergjente, flakët janë vendosur nën kontroll. Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, rasti është dërguar në hetime, për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të zjarrit.