E rëndë në Vushtrri: Babai e bën për spital vajzën 26-vjeçare, arrestohet dhe ndalohet
Jo rrallëherë fëmijët janë viktima të dhunës qoftë nga prindërit e tyre apo edhe anëtarë të tjerë të familjes. Në shumicën e këtyre rasteve, fëmijët janë edhe të moshës së mitur, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Vushtrri, ku Policia arrestoi një 65-vjeçar, i cili dyshohet për dhunë në familje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se këtë herë viktimë është një vajzë 26-vjeçare, ndaj të cilës ka ushtruar dhunë babai i saj.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari e kishte shtyrë të bijën pas një mosmarrëveshje dhe për pasojë vajza është rrëzuar, duke pësuar kështu lëndime trupore.
Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin, ndërsa në shtëpinë e tij është gjetur një armë ilegale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të njëjtit dhe inicimin e rastit.