E rëndë në Prishtinë: Djali ushtron dhunë ndaj nënës së moshuar me i marrë para për alkool e drogë – u ndalua për 48 orë

Një rast i dhunës në familje është regjistruar në kryeqytet, ku një grua e moshuar ka raportuar në Polici se është keqtrajtuar nga djali i saj, i cili kërkonte para për alkool dhe, sipas saj, edhe për drogë.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 23 qershor 2025, në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, është inicuar rasti “Dhunë në familje” ndaj të dyshuarit S.M, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, A. M.

Sipas dëshmisë së viktimës, rreth orës 06:30 të mëngjesit, i biri kishte dalë nga banesa duke trokitur me forcë në derën e një fqinji për shkak të zhurmës dhe më pas ishte kthyer brenda ku kishte kërkuar para për të blerë alkool. Kur ajo nuk ia kishte dhënë, ai e kishte kapur për dore dhe e kishte shtrënguar, duke e kërcënuar dhe insistuar që t’i jepte para.

Ajo kishte deklaruar se një natë më parë i kishte dhënë para, të cilat dyshon se i kishte përdorur për blerje të substancave narkotike, pasi është përdorues që nga mosha 14-vjeçare. E frikësuar për jetën, e moshuara kishte arritur të largohej nga banesa dhe kishte kërkuar ndihmë te fqinjët, duke thirrur Policinë.

Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dhe rasti po trajtohet si “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Nxënësi nga Skenderaj përshëndet mësuesen e shokët e klasës, niset për Gjermani