E rëndë: Gjendet pa shenja jete një burrë në vendin e tij të punës në Podujevë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Podujevës, ku një burrë është gjetur pa shenja jete, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi në fabrikën e turshive në rrugën ‘Qëndresa’ ndodhet një punëtor pa ndjenja dhe dyshohet se ai është në rrezik për jetën.

Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar vdekjen e tij.

Sinjali mëson se viktima është një burrë 68-vjeçar, teksa lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion.

Lexo edhe:  Vushtrri, një grua rrahet nga burri dhe vjehrri i saj