E rëndë: E mitura në Fushë Kosovë tenton t’i japë fund jetës pasi dyshohet se u dhunua nga i dashuri i saj

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e mitura, ndërsa shpesh të dyshuar, janë persona të moshës madhore, të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku mbrëmë pas mesnate një vajzë e mitur është dërguar me urgjencë në spital, pasi e njëjta dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se 15-vjeçarja dyshohet se kishte konsumuar mbidozë të ilaçeve për qetësim.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e viktimës, e cila ka bërë të ditur edhe motivin që shtyu të bëjë këtë veprim.

Bazuar në dëshminë e saj, personi me të cilin ishte në lidhje dashurie për pothuajse një vit, në mënyrë të vazhdueshme e ka keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht. Çka e bën edhe më të rëndë të gjithë historinë, është se sipas vajzës, 23-vjeçari e ka dhunuar seksualisht, duke e detyruar që pa dëshirën e saj të kryejë marrëdhënie seksuale.

Njësitë policore janë vënë në lëvizje që ta arrestojnë të dyshuarin, mirëpo i njëjti nuk është arritur që të gjendet ende.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Policia bënë apel për kujdes të shtuar në trafik