E rëndë: 40-vjeçari në Suharekë plagos aksidentalisht nipin e tij, viktima dërgohet me urgjencë në spital
Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë ilegale. Për pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjerë, apo duke plagosur veten aksidentalisht, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Sopijë të Suharekës, ku një person dyshohet se ka plagosur aksidentalisht nipin e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 33-vjeçari ka kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e plagës që ka marrë nga e shtëna me armë.
Viktimës i është dhënë ndihma e parë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë dhe për shkak të gjendjes së tij, është transportuar në Spitalin Rajonal në Prizren për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti, teksa në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy armë zjarri dhe rreth 20 gëzhoja.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e dajës së viktimës, i cili ka pohuar se duke shtënë te vreshtat e fshatit, aksidentalisht ka shkrepur armën drejt nipit të tij, duke e plagosur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 40-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor, teksa rasti është iniciuar për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.