E pritën në korridor – grabitësit me armë ia marrin paratë një 70-vjeçari në Fushë Kosovë
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset, dhe jo vetëm.
Një grabitje e armatosur ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Fushë Kosovë, ku një burrë është sulmuar nga dy persona të maskuar, të cilët e kanë kërcënuar me armë dhe i kanë marrë para në dorë.
Siç merr vesh Gazeta Sinjali, rasti ka ndodh mëngjesin e sotëm, në banesën ku banon viktima, në Fushë Kosovë.
Sipas kallëzimit të viktimës, të cilin Gazeta Sinjali e ka marrë vesh përmes burimeve policore, 70 vjeçari me inicialet R.K., sapo ka dalë nga banesa e tij në korridor është përballur me dy persona të panjohur, të cilët ishin me kapela të zeza në kokë për të mos u identifikuar.