E premtja tragjike në Kosovë – për 24 orë 4 të vdekur

Kosova u trondit sot nga katër vdekja tragjike që ndodhën hiç më pak se brenda 24 orëve. Dy anëtarë të familjes Sopa, mërgimtarë që po vinin nga Sllovenia për Kosovë vdiqën në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksidentin tragjik në Podujevë. Kurse, të lënduar mbetën dy fëmijët e tyre që aktualisht po trajtohen në QKUK. Ndërkaq, në Deçan një burrë ka vdekur pas lëndimeve që ka marrë nga sëpata, kurse një 42 vjeçar në Pejë ka rënë nga kati i pestë i një objekti.

Shemsedin Sopaj e Mirvete Sopaj nga Malisheva mbetën të vdekur mëngjesin e ditës së sotme, pasi vetura e tyre u aksidentua me një autobus në magjistralen Prishtinë-Podujevë.

Ata ishin nisur nga Sllovenia për në Kosovë për t’i kaluar pushimet verore, mirëpo që pa arritur në shtëpi humbën jetën tragjikisht.

Në këtë aksident u lënduan edhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 5-vjeçare. Ata tashmë ndodhen në QKUK.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të dy fëmijëve të lënduar në aksident.

Ai ka njoftuar se njëri nga fëmijët që ishte viktime e aksidentit të sotëm në Podujevë, është operuar në të dyja këmbët.

“Djali 5-vjecar është operuar në dy këmbët nga ortopedët tonë më të mirë. Operacioni ka kaluar me sukses”, ka thënë Kastrati në T7.

Sipas informatave të kryetarit, djali ka pësuar thyerje të këmbëve dhe gjurin e njërës këmbë e ka në gjendje më të rëndë.

Ndërsa vajzës tre vjeçe i janë bërë ekzaminime në tru për mundësi gjakderdhjeje.

“Vajza tre vjeçare, ku i janë bërë disa ekzaminime rreth mundësisë të gjakderdhjeve në tru që mund të ketë pësuar”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Zjarr i madh në Institutin e Mjekësisë Ligjore

Detaje rreth këtij aksidenti sot ka dhënë edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.

Ndërkohë që shoferi i autobusit me të cilin u aksidentua familja Sopa është arrestuar nga organet e rendit.

Lajmin e për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me policinë, sot, me urdhër të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, një person i dyshuar, shoferi i autobusit”, ka thënë Ulaj.

Ajo tutje ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me fatalitet”.

“Ndaj rastit po vazhdojnë të ndërmerren veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave”, ka shtuar Ulaj.

Lexo edhe:  Dalin detaje të reja: Ja pse e përdorte Naimi firmën e Liridona Ademajt

Kjo s’është tragjedia e vetme që ka ndodhur sot në vend. Një person i moshës 42 vjeçare ka vdekur në orët e para të së premtes në Pejë, pasi i njëjti ka rënë nga kati i pestë i një objekti.

Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor, i cili ka dalur në vendin e ngjarjes.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Fadil Gashi.

“Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në Pejë. Jemi informu në ora 02:27 minuta dhe jemi përgjigjur menjëherë. Personi është dërguar në Emergjencë e më pas në Prishtinë. Tutje çështja i ka kaluar prokurorisë”, tha Gashi.

Një vdekje tjetër ka ndodhur në Komunën e Deçanit. Një burrë atje ka vdekur si pasojë e plagëve të marra, derisa ishte duke prerë dru në pyll.

Siç njofton Policia e Kosovës, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa trupi i tij është dërguar për obduksion. Ngjarja ka ndodhur të enjten, pasdite.

“Deçan 28.07.2022 – 19:45. Një mashkull kosovar dyshohet se ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë pasi ka pësuar lëndime trupore gjatë prerjes së drurëve në pyll. Lidhur me rastin vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, thuhet në raport.