E paprecedent: Gjinekologia private hyn pa leje në Spitalin e Prizrenit dhe kryen lindjen e pacientes

Një rast jo fort i zakonshëm ka ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren. Një doktoreshë pa qenë staf i spitalit ka hyrë dhe ka intervenuar në lindjen e një pacienteje.

Kjo ka bërë që spitali të marrë masa dhe rasti të shkojë deri në Prokurori.

Në natën e 15 dhjetorit të vitit 2023, rreth orës 22:45, doktoresha Teuta Daullxhiu, e cila punon në klinikë private, bashkë me një paciente të saj, e cila ishte në prag të lindjes, kishin shkuar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Ndonëse spitali kishte dy gjinekologë kujdestarë, të cilët ishin përgjegjës për secilin pacientë dhe repartin, punën del ta ketë marrë në dorë doktoresha Daullxhiu. Ajo thuhet se ka hyrë në sallë dhe ka kryer lindjen e pacientes dhe kjo pa e pyetur askënd.

Këtë rast thuhet ta kenë raportuar vetë mjekët kujdestarë, gjinekologët  Fisnik Sinani dhe Mentor Bojaxhiu.

“Po rasti natyrisht jemi të informuar nga ekipi kujdestar. Doktoresha në fjalë vjen pa lejen e askujt futet në sallën e lindjes dhe kryen lindje. Mjekët kujdestarë që kanë qenë atë natë, kanë rezistu me fjalë dhe na kanë informuar neve organet. Së pari më kanë informuar mua si shef i repartit, pastaj na e kemi proceduar rastin në drejtori”, thotë Shukri Lecaj, Shefi i repartit të Gjinekologjisë/obsterikë.

Pacientja, kishte kaluar procedurat e regjistrimit në spital. Ndërsa, të pranishëm në sallë, ishin edhe mjekët kujdestarë dhe mamitë.

“Po, po ka kaluar gjithsesi në libër të lindjes, me histori të gjitha ato procedura janë respektu nga ekipi kujdestar. Dy kujdestarë janë, janë mamitë, të cilët natyrisht kanë qenë prezentë në aktin e lindjes, kanë qenë prezent për hir të pacientit edhe të fëmijës”, shton Lecaj.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit, nesër pritet që vendi të mbulohet nga bora

Më 18 dhjetor, ditë e hënë, shefi tjetër i repartit, Sebadin Gjini, çështjen e kishte raportuar në Këshillin e Spitalit.

Në informatën e parë, thuhej se “Dr.Teuta Daullxhiu kryen lindjen e pacientes A.R dhe të gjitha procedurat para dhe pas lindjes”.

“Shefi i Njësisë së Gjinekologjisë, na ka lajmëru që kështu, kështu ka ardhë doktoresha dhe ka kry një lindje në repart, menjëherë Këshilli Drejtues i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit është mbledhur dhe i kam marrë të gjitha masat të cilat janë të nevojshme, domethënë përmes Zyrës Ligjore është procedurë landa në organet e drejtësisë. Po ashtu edhe mjekë të cilët kanë qenë kujdestarë atë natë, të cilët kanë qenë përgjegjës për atë natë për repartin e Gjinekologjisë edhe ata janë dërguar në Komision Disiplinor”, ka thënë drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Narziqe Arenliu-Hoxhaj.

Doktoresha Daullxhiu, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit kishte punuar nga viti 2004 deri në vitin 2022. Kjo sipas drejtoreshës së spitali, mund të jetë arsyeja se pse ajo ka mundur ta ketë më të lehtë futjen në sallën e spitalit.

“Gazetarja: A është kaq e lehtë që dikush që ndoshta s’është stafi i spitalit të hyjë dhe qoftë në reparte të ndryshme, në këtë rast që ka qenë gjinekologjia, me kry këso lloj intervenimi?

Drejtoresha: Jo, nuk është edhe dhe aq e lehtë pasi që ne e kemi sigurimin, po ashtu e kemi edhe kamerat, po të gjitha këto tash organet e drejtësisë, organet kompetente i kanë këto të gjitha të dhënunat, ndoshta ajo ka mujt me shfrytëzu, ka punu në spital, ndoshta atë e ka shfrytëzu qysh ka mujt me depërtu deri naltë tash merren organet gjegjëse për këto, për këtë rast”.

Lexo edhe:  Qeveria tregon nëse do të jetë pushim dita e hënë

Drejtoresha thotë se ky rast është diskutuar edhe me sigurimin dhe stafin tjetër të spitalit.

Ndërsa, Lecaj, thotë se nuk e kanë sistemin e identifikimit të secilit person që futet në objektin e Spitalit.

“Jo, ky kordoni i sigurisë, kjo nuk është, se ka kalu ajo ka ardhe me pacient, nuk mund me i ditë me identifikim në Spital, nuk e kemi atë sistem na. Domethënë sikur ndoshta në ministri ose diku tjetër, të na pacienti vjen për me lindë. Po nuk e di.

Gazetarja: Po mjekët kujdestarë?

Lecaj: Mjekët kujdestar e kanë lajmëruar rastin”, ka thënë ai.