E ndërroi qenin me një armë ilegale, vushtrriasi futet në telashe – përfundon në Polici
Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.
Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar sot në Vushtrri, ku Policia ka kapur një person, i cili pa autorizim mbante një armë ilegale, për vite me radhë. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për E.D., i cili u shoqërua në stacion policor në orët e paradites.
Sinjali mëson se Policia ka konfiskuar armën nga i dyshuari dhe i njëjti ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë. Bazuar në dëshminë e tij, ai mban armë në mënyrë ilegale që 5 vjet dhe të njëjtën e kishte marrë nga një shok, duke e ndërruar me një qen.
Mbajtja e armës i ka kushtuar vushtrriasit pasi me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.