E mitura denoncon në Polici shokun e klasës: Më përqafoi dhe puthi me zor

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.

Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të panjohur, por edhe nga ata të cilët i kanë të afërm. Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për këto raste dhe për të dyshuarit që kanë rënë në prangat e Policisë.

Sinjali mëson se një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur muaj më parë në gjimnazin ‘Ulpiana’ në Lipjan, ku viktimë është një nxënëse.

E mitura ka denoncuar rastin tre muaj më pas, ku ka deklaruar se shoku i saj i klasës e kishte përqafuar dhe puthur pa dëshirën e saj.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku para hetueseve ka mohuar ta ketë puthur viktimën dhe sipas tij vetëm e ka përqafuar. Deklaratën e tij ai ka pohuar se mund ta vërtetojnë edhe shokët tjerë të klasës që kanë qenë të pranishëm, mirëpo këta të fundit pasi janë intervistuar në cilësinë në dëshmitarëve, kanë mohuar të kenë parë se çfarë ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Sulm seksual’.

Lexo edhe:  Humb një i moshuar që nuk di të flas, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunim