E konfirmon Ministria e Shëndetësisë: Klinika “Care & Hair Fix” punoi pa licencë dhe pa staf të licencuar

Vetëm disa ditë pas hapjes me pompozitet dhe prezantimit si një nga klinikat më moderne për transplant flokësh në vend, “Care & Hair Fix”, në pronësi të stomatologut Fehim Haliti, është mbyllur nga Inspektorati Shëndetësor, pasi që e njëjta punonte ilegalisht.

Në përgjigjen për portalin Front Online, ministria e Shëndetësisë konfirmon se Inspektorati Shëndetësor ka realizuar një inspektim në klinikën Care & Hair Fix në Prishtinë dhe ka konstatuar se subjekti në fjalë nuk posedon licencën e nevojshme për të ushtruar veprimtarinë shëndetësore.

“Për këtë arsye, Inspektorati Shëndetësor ka marrë vendim për ndërprerjen e përkohshme të ushtrimit të veprimtarisë deri në licencimin e këtij institucioni. Gjithashtu, dëshirojmë t’ju informojmë se Inspektorati Shëndetësor ka konstatuar se në këtë klinikë kishte të angazhuar edhe staf të pa licencuar” thuhet në përgjigjen e ministrisë

Për këtë çështje portali ka dërguar pyetje edhe në adresë të pronarit të klinikës, por i njëjeti nuk ka kthyer përgjigje fare deri në momentin e publikimit të shkrimit

Hapja e “Care & Hair Fix” ishte shoqëruar me fushatë të fuqishme promovuese në rrjete sociale duke e paraqitur klinikën si “lider në rajon” për shërbime të mbjelljes së flokëve. Por, pas vetëm pak ditësh, kjo reklamë luksoze është zëvendësuar me shirita të kuq të Inspektoratit Shëndetësor

Lexo edhe:  E tmerrshme: Burri sulmon gruan në studio: Të kapa gafil