E kërcënoi nënën me vrasje dhe u zhduk, arrestohet prizrenasi – Policia zbarkon në shtëpinë e tij
Dje u raportua për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur të hënën në Prizren, ku një 33-vjeçar e ka kërcënuar nënën e tij me vrasje. I dyshuari, i cili është emër i njohur për organet e rendit tashmë është arrestuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është kapur pasi prindërit e tij e njoftuan Policinë.
Sinjali mëson se njësitë policore kanë zbarkuar në shtëpinë e të dyshuarit, ku ia kanë vënë prangat dhe më pas e kanë shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Rasti u zbulua pasi viktima, nëna e të dyshuarit ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka deklaruar se djali e kishte kërcënuar me vrasje, në rast se nuk ia jep paratë që i kishte kërkuar dhe më pas ishte larguar nga shtëpia.
Përballë kësaj situate, viktima e kishte raportuar rastin në Polici dhe ka kërkuar ndihmë para se të ndodhë diçka më e keqe.
Kujtojmë se edhe më shqetësues për këtë rast është fakti se i dyshuari është recidivist i veprave të ndryshme penale