E kërcënoi me thikë një 42-vjeçar në Prishtinë, ky është i riu që u arrestua dhe përfundoi në ndalim policor

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve të ndryshme mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në kërcënime serioze e rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 42-vjeçar ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka raportuar se një person e ka kanosur me thikë.

Siç mëson Sinjali, personi që u arrestua lidhur me këtë rast është Lorik Lupqi, 20-vjeçar, i cili ndodhet nën masën e ndalimit policor.

I riu ra në prangat e Policisë, pasi rasti u denoncua dhe njësitë policore arritën që ta kapin dhe ta shoqërojnë në stacion policor.

20-vjeçari është intervistuar nga hetuesit, me ç’rast ka dhënë deklaratën e tij për motivin që e futi në sherr me viktimën.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Varroset, pa kokë, viktima e Pazarit në Mitrovicë (VIDEO)