“E kam gjuajt në bërllok”, “ Ai ka probleme mendore”, si po e keqtrajton Haradinaj zëvendësin besnik të Kurtit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimin, i caktuar nga kryeministri Kurti për t’u marrë me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk po përfillet nga opozita.
Përpjekjet e tij për t’i ftuar në takim raportues për dialogun nuk po gjejnë mirëkuptim nga liderët opozitar. Ftesat po i refuzohen. E edhe raportet po i shqyhen. Vetë Bislimi ka treguar se si kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ia ka shqyer raportin shtatë faqesh.
Duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Integrime Europiane të hënën, kryenegociatori i palës kosovare në dialogun me Serbinë tha se një lider opozitar, duke iu referuar kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka shqyer atij një raport shtatë faqesh të cilin ia ka dërguar në fillim të procesit dialogues.
“Ndërkaq, lideri juaj [i drejtohet deputetes Time Kadriaj], kur ia kam dërguar një raport shtatë faqësh rreth procesit të dialogut, ka thënë ‘a qai ka qenë a? veç e kam marrë, e kam shqyer dhe e kam gjuajtur në bërllok’”, ka thënë Bislimi.
Dështon takimi Kurti-Vuçiq, Bislimi: Serbia po saboton procesin e dialogut
Ramush Haradinaj ka shprehur hapur që nuk mund ta duroj Besnik Bislimin. Para disa muajve ai pat fajësuar publikisht Bislimin për dështimin në vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë.
Çfarë kishte deklaruar Ramush Haradinaj kundër Besnik Bislimit?
“Besnik Bislimi është njeri me behane, i retardum, ka probleme mendore”.
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj kishte kritikuar qeverinë e Kosovës për siç thotë dështim në vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë. Thotë se përkrah vendimin e qeverisë së Albin Kurtit, por se kritikon planin për zbatim të këtij vendimi.
Për këtë Haradinaj fajëson zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, të cilin e ka quajtur të ‘retarduar’.
“Për shkak se qeverinë tonë e përfaqëson një Besnik Bislimi që është njeri i retardum. Ai ka probleme mendore, ai është një njeri me behane”, thotë Haradinaj në emisionin Pressing në T7.
“Ai ka probleme, ai s’e di as kë e përfaqëson, ai njeri nuk e di se çka përfaqëson”, shtoi Haradinaj.
Ish-kryeministri thotë se veprimet e Bislimit tregojnë se ai nuk e di se çfarë pune ka.
“Ia shoh veprimet. Ja t’i jap tri veprime të tij për me të tregu se sa i retarduar është”, tha Haradinaj.
“U ulë krahë për krahë me atë që po ia bie tenkat. A e patë në protokoll kur u ulë me nënshkru me Petkociç. Ky u ulë krahë për krahë me të, besom kush në botë s’e bën. E dyta, tha i hapim arkivat e UÇK’së. Po ku i ki arkivat. E treta, deklarata e tij në Komision për gazin. Thojke 1 liter gaz, menojke që po flet për gazin e llamave, Ky është i retarduar, s’e di se çka flet”, kishte deklaruar Haradinaj para disa muajve.