“E kam ende predhën në trup”, Polici “hero” në sulmin e 2008-s në Mitrovicë thotë se kolegët ia morën meritat
Ish-polici Enver Pllana që kishte mbetur i plagosur rëndë në objektin e Stacionit të Policisë në Mitrovicë, nga një person që kishte hyrë në orët e para pas mesnatës, ende e ka në trup predhën e plumbit. Pllana, që atëherë ishte cilësuar edhe si “hero” nga Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme për ndaljen e sulmit, thotë se nuk po i njihen meritat nga kolegët e tij në Polici.
Një kolege e tij, që atëherë thotë se e kishte Shefe të ndërrimit, thotë se po del nëpër media e po pretendon se ishte ajo që e kishte ndalur atë sulm.
Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, ka zhvilluar një intervistë me Pllanën, i cili rrëfen në detaje se si kishte ndodhur sulmi e reagimin e tij, si dhe për zhgënjimet që ka përjetuar nga ish-kolegët.
Ai i mban ende gazetat e asaj kohe ku ishte përshkruar në detaje reagimi i tij, e edhe cilësimi si hero nga ish-Ministri i atëhershëm Zenun Pajaziti.
“Unë i kom dëgju kalimthi tu thanë jo Shote Galica e këso etiketime, unë në fillim nuk e kam ditë për kë po bisedohet. Kur e kam kuptu për kë është, e kam ndi veten të fyem. E njëjta prononcohet në mjete të informimit që unë e ndala sulmin. Nuk është në rregull kjo. Nuk është reale”, thotë Pllana.
Më rëndë thotë se e ka përjetuar heshtjen e ish-eprorëve të tij, të cilët thotë se po ia mbajnë anën.
“Nuk kam prit që të sillen në kësi forme dhe të m’i mohojnë të gjitha ato çfarë kam kontribu. Unë jam drejtu tek eprorët e mi vetëm në rrafshin medical veç për ndihmë mjekësore. Populli e di kush ka kontribu. E di edhe unë për fat të mirë. Deri edhe në rrafshin moral kanë nis me më nënçmu. S’po du me përmend emra për hir që kanë familje se jo për diçka tjetër. Për rastin konkret, drejtësi për mua nuk ka pas”, rrëfen Pllana.
Ai tregon se kishte bërë një padi për lëndim në vendin e punës, e që Gjykata kishte nxjerrë vendim që t’i kompensohen mbi 23 mijë euro, por që në fund Apeli ka nxjerrë vendim për ndarjen e vetëm 8 mijë eurove.
“Gjykata mi ka nda 23 mijë e 800 euro. Ministria është anku në vendimin e Themelores, Gjykata e Apelit mi ka nda vetëm 8 mijë euro”, thotë ai.
Ai ka apeluar tek organet përgjegjëse që të mbrojnë të drejtën.
“Më ka vra e padrejta, sepse kurrë kërkush zanin s’ma kish ndi”, thotë Pllana.