“E ka qel dollapin, unë i kam lan nihere 100 tani 300 euro”, rrëfimi i qytetarit për kirurgun Isuf Zekaj

Lajmi se tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshoheshin se kanë marrë para nga pacientët për të kryer operacionet bëri bujë. Kirurgët që po hetohen nga prokuroria janë Isuf Zekaj – shef i kirurgjisë në SP Vushtrri dhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, dhe dy kirurgët Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj të cilët tashmë janë arrestuar.

Sipas raportimit të Gazetës Shneta, që të tre, në emër të blerjes së materialit (kryesisht rrjeta dhe klipa) të nevojshëm për operacion kanë marrë nga 100 deri në 400 euro prej pacientëve.

Një rast i tillë është raportuar edhe tek Gazeta Insajderi. Një person nga qyteti i Vushtrrisë në kushte anonimiteti tha se edhe ai ka dhënë para që bashkëshortja e tij të operohet.

 

Duke qenë se ajo vuante nga gurët në tëmth, operacioni iu shty për 6 muaj. Kjo e kishte shqetësuar të njëjtën pasi nuk ishte mirë me shëndet dhe kishte kërkuar të operohet sa më herët.

B.K (emër i njohur për redaksinë), tha se ishte njoftuar që për të përshpejtuar operimin, duhet t’i jepeshin një shumë të hollash kirurgut, pra Isuf Zekajt.

Ai kishte shkuar në zyrën e tij dhe Zekaj kishte hapur sirtarin duke ia bërë me dije se aty duhet t’i vendos paratë. Qytetari kishte vendosur si fillim 100 euro, por kjo shumë ‘nuk ia mbushi syrin kirurgut’.

“Personalisht e kam pas shoqen, mu ka desht me shku me kanë thanë me prit gjashtë muaj ma shume, fjalë mas fjale më thanë qe dikush po operohet më shpejte, më thanë që duhet me pagu ekstra për do klipa e mrezha 50 euro 100 euro. Edhe kur kam shku në zyre ai veç e ka hap fijokun, ia dhash 100 euro“, tha ai për Insajderin.

Lexo edhe:  Xhaxhai i viktimës për Kobrën: Mbeturinë orientale, futet në xhami dhe falet

Në mbrëmje të njëjtit i ishin dërguar edhe 300 euro, kësisoj në mëngjes bashkëshortja e tij u fut në operim.

“Ato 100 euro nuk kanë kry kurgja punë, në mbrëmje kam shku me i lan edhe 300 euro, masanej më kanë thirre të nestrit mem tregu që gruaja mundet me u operu direkt ditën e nesërme. Më thanë ia kemi ba diqysh se e pam që u shqetësojke edhe të nestrit u operu për gurë në tëmth tek qiky doktori Isuf Zekaj“, rrëfeu ai për Insajderin.

Vushtrriasi tha për të siguruar paratë ka kërkuar ndihmën e kolegëve të tij të punës.

“Për me i bo bashk paret që i kan kërku aty mu ka dashtë nëpër koleg me lyp pare më shkoj ma shumë se gjysma e rrogës“, tha ai.

Ai tha se ky nuk është rasti i vetëm, sipas tij shumica e kirurgëve veprojnë njejtë. I njëjti përmendi edhe një kirurg tjetër për të cilin tha se kërkon vetëm ndonjë kafe ose 50 euro si shpërblim.

“Kam dëgju edhe plot raste tjera, sipas fjalëve pjesa më e madhe e kirurgëve qeto sene i bajn. Ni doktor kom dëgju, që aj veq ni kafe e don, ose 50 euro spo ia permendi emrin e këta kirurgat tjerë krejt lypin pare“, tha për fund ai.

Kirurgët ishin duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës ndërkohë dje dy prej tyre janë arrestuar e treti, Isuf Zekaj nuk është gjetur në vendin e punës.