E jashtëzakonshme: Nga nëntoka e Trepçës nxirret një kristal gjigant, 1.40 metra i lartë
Miniera Trepça ka njoftuar për nxjerrjen e një kristali të jashtëzakonshëm nga thellësitë e nëntokës, me përmasa mbresëlënëse prej 1.40 metra lartësi dhe 1.20 metra gjerësi, shkruan “Jepi zë”.
Sipas njoftimit zyrtar, kristali është zbuluar dhe nxjerrë falë angazhimit të minatorëve të Horizontit XI – Ndërrimi C, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim kanë arritur ta sjellin në sipërfaqe këtë formacion të rrallë mineralogjik.
Nga Trepça vlerësohet se ky kristal përfaqëson më shumë sesa një pasuri natyrore – ai simbolizon traditën shekullore të minierës, punën e palodhur dhe shpirtin e pathyeshëm të minatorëve që çdo ditë zbresin në thellësi për të nxjerrë pasuritë minerare të vendit.

