E inskenoi grabitjen për shkak të borxhit ndaj një serbi, detajet e lajmërimit të rremë të 48-vjeçarit në Shtime
Lajmërimi i rremë në organet e rendit përbën vepër penale dhe sanksionohet me ligj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Por kjo nuk e ndaloi një 48-vjeçar në Shtime, që të raportojë në Polici një grabitje fiktive, për të cilën pohoi se i ndodhi përgjatë rrugës Lipjan – Shtime.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari u zbulua se ka inskenuar gjithë rastin, pasi që gjatë intervistimit në stacion policor, vazhdimisht kishte pasur kundërthënie lidhur me historinë.
I dyshuari kishte deklaruar se derisa po ecte në këmbë, tre persona të panjohur e kishin ndalur veturën e tyre dhe me forcë ia kishin marrë atij 3 mijë e 500 euro para të gatshme. Sipas tij, të dyshuarit ishin larguar me veturën e tyre me shpejtësi në drejtim të Shtimes.
Për shkak të gjendjes së tij, ai i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Pas një kohe, ai është dorëzuar dhe ka vendosur që të rrëfejë gjithë ngjarjen e vërtetë, duke thënë se grabitjen e ka inskenuar për shkak të një borxhi që ka ndaj një shtetasi serb. Sipas tij, kjo do ta ndihmonte që të fitojë edhe pak kohë për ta kthyer borxhin.
Ai ka marrë ndihmë mjekësore në spital për shkak të lëndimeve të cilat i kishte në trup, e për të cilat tha se i ka marrë disa ditë më parë pasi është sulmuar nga një person në Beograd.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari lirohet për procedurë të mëtejme hetimore dhe ndaj tij është iniciuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale ‘’ Lajmërimi, apo kallëzimi i rremë’’