E dhimbshme: Ky është i riu nga Istogu që humbi jetën në aksidentin në Skivjan të Gjakovës
Një aksident i rëndë trafiku ndodhi mbrëmë në magjistralen Pejë – Gjakovë, saktësisht në fshatin Skivjan, ku për pasojë një person ka humbur jetën. Viktima ishte shofer i njërës nga veturat e përfshira në aksident, i cili nuk arriti të mbijetojë.
Siç merr vesh Sinjali, shoferi që vdiq tragjikisht në këtë aksident është Besim Demaj, 25-vjeçar, nga Dobrusha e Istogut, i cili pësoi plagë të rënda pas përplasjes me veturën tjetër.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë.
“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatë për aksident trafiku në fshatin Skivjan-Gjakovë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku të përfshirë në aksident kanë qenë dy automjet udhëtarësh. Për pasojë lëndime trupore kanë pësuar dy persona të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Më vonë jemi njoftuar se njëri prej tyre ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor”, tha zëdhënësi Sheremet Elezaj.