Dyshoi se ia vodhi kuletën në treg, burri në Lipjan rrah brutalisht fëmijën 11-vjeçar

Një burrë ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme, pasi dyshohet se ka rrahur një fëmijë në fshatin Magurë të Lipjanit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se 54-vjeçari dyshohet se ka sulmuar fizikisht 11-vjeçarin gjatë kohës që ai ishte në shkollë.

Si pasojë e dhunës, i mituri ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë bashkë me nënën e tij kanë dhënë dëshminë në stacion policor dhe si rrjedhojë i dyshuari është arrestuar nga Policia.

Gjatë intervistimit, i dyshuari para hetuesve policorë ka deklaruar se ka dyshuar që i mituri ia ka vjedhur kuletën në treg.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë mes dy veturave në Suharekë, pamje nga vendi i ngjarjes