Dyshohet se vodhi një veturë me targa të Suedisë, 30-vjeçari arrestohet në Aeroportin e Prishtinës

Një veturë e cila ishte vjedhur në Suedi dhe bartte targat e këtij shteti, është sekuestruar muaj më parë në Prishtinë. Pas veprimeve hetimore ishte arritur që të identifikohet edhe personi i cili dyshohet se ka kryer veprën, mirëpo i njëjti ishte i pakapshëm për organet e rendit.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 30-vjeçari i dyshuar është arrestuar gjatë ditës së djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.

I dyshuari është ndaluar në aeroport, pasi që gjatë verifikimit ka rezultuar se është në kërkim policor.

Njësitë policore kanë shoqëruar në stacion të dyshuarin, i cili është recidivist i veprave penale dhe është intervistuar nga hetuesit.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Vjedhja’.

 

Lexo edhe:  Lista Serbe dhe grupet kriminale detyrojnë pjestarët serbë të FSK-së ta lëshojnë punën