Dyshohet se vodhi një kuletë me 30 euro, bie në pranga 43-vjeçari në Ferizaj

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare, por që shpesh e pësojnë edhe qytetarët në hapësira publike. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Një rast i tillë ka ndodhur dje gjatë ditës në butikun ‘Lenti’ në Ferizaj, ku një person dyshohet se ka vjedhur kuletën e njërës nga klientet.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 19-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se derisa ishte duke kryer blerje në lokalin në fjalë, një person i ka shkuar nga mbrapa dhe pasi ka dashur të kryejë pagesën tek arka, ka vërejtur se kuleta e saj me rreth 30 euro brenda saj, mungon.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë veprimet hetimore, me ç’rast është arritur që të identifikohet personi i dyshuar.

43-vjeçari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.

 

Lexo edhe:  Policia bastis zyrat e KEK-ut, priten arrestime