Dyshohet se vodhi arkën me 200 euro në ‘Burger King’, ky është personi që u arrestua në Pejë
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri.
Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.
Kështu i ndodhi edhe një personi në Pejë, i cili u kap pas disa ditësh në arrati.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Bajram Hysenin, 30-vjeçar, i cili është recidivist i veprave të vjedhjes.
Hyseni është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, pasi që dyshohet se kreu vjedhjen e një arke me 200 euro në ‘Burger King’.
I dyshuari gjatë intervistimit ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.