Dyshohet se plagosi një person pas sherrit në trafik, arrestohet pas dy muajsh 25-vjeçari në Gjakovë
Mbrëmjen e 16 nëntorit rreth orës 20:30 në rrugën ‘Bardhyl Qaushi’ në Gjakovë, kishte ndodhur një incident ku ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Si pasojë një person kishte mbetur i plagosur, ndërsa i dyshuari ishte arratisur nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Policia gjatë ditës së djeshme ka kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit i cili ishte shpallur në kërkim policor dhe i njëjti është arrestuar pasi u gjet në shtëpinë e tij.
25-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Bazuar në dëshminë e tij, gjithçka dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje në trafik, ku 37-vjeçari e kishte sulmuar fizikisht të riun dhe ky i fundit kishte nxjerrë revolen e më pas e kishte qëlluar të dyshuarin.
Gjatë bastisjes së shtëpisë nuk është arritur që të gjendet arma e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj 25-vjeçarit të caktohet masa e ndalimit policor dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Ndërsa ndaj personit që mbeti i plagosur, Prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale ‘Sulm’.