Dyshohet se ngacmoi seksualisht një 14-vjeçare në liftin e banesës, ky është burri i arrestuar në Pejë

Të dielën u raportua për një rast të ngacmimit seksual që dyshohet të ketë ndodhur në ashensorin e një banese në rrugën “Beteja e Loxhës”, në Pejë. Një burrë i moshës 45-vjeçare po dyshohet se e ka ngacmuar një vajzë 14-vjeçare dhe i njëjti tashmë ndodhet në ndalim policor.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Sejdi Duçaj, i cili është denoncuar në Polici nga viktima, nën dyshimet se e ka ngacmuar seksualisht.

Sipas informacioneve të para që ka Sinjali, 45-vjeçari po dyshohet se derisa ndodhej në lift bashkë me të miturën, ka nisur ta ngacmojë seksualisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që ta denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer detajet e asaj që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, Duçaj është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Çmimet e naftës sot, të njëjta si para tri vjetësh”