Dyshohet se kreu vjedhje në dy lokale në Fushë Kosovë, 27-vjeçari bie në prangat e Policisë

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Të dyshuarit në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e drejtësisë, por me raste ata edhe arrestohen pas veprimeve hetimore, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu i ka ndodhur edhe një personi i cili dy net më parë dyshohet se kreu vjedhje të rënda në lokalet ‘Fanari’ dhe ‘Time Out’ në Fushë Kosovës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që i dyshuari të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Në lokalin ‘Fanari’ ai dyshohet se ka marrë një telefon, ndërsa te lokali ‘Time Out’, ku hyri në mënyrë tinëzare duke thyer një pjesë të murit, ka vjedhur kasafortën me rreth 800 euro para të gatshme.

27-vjeçari u identifikuar nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, ai ka pranuar se ka kryer veprat për të cilat dyshohet.

Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Lexo edhe:  Momenti kur PSD e gjuan me qershi kryeministrin Kurti pas marrëveshjes për targa