Dyshohet për vjedhje të rëndë në depon e ‘Viva Fresh’ në Prishtinë, bie në pranga 67-vjeçari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Kështu ka ndodhur së fundi në Prishtinë, pasi një person dyshohet se kreu vjedhje në depon e shitores ‘Viva Fresh’ në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 67-vjeçari është identifikuar pas gati një jave në arrati dhe i njëjti është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Sinjali mëson se i moshuari dyshohet se fillimisht ka vjedhur mallra në vlerë rreth 1 mijë euro dhe më pas është identifikuar pasi ishte kthyer për herën e dytë në depon në fjalë, për të kryer një vjedhje tjetër.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Lexo edhe:  Arrin në mbi 50 mijë numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi