Dyshohen për dhunë ndaj një qytetari në Suharekë, IKP rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka suspenduar nga puna dy zyrtarë policorë në Suharekë, shkruan Sinjali.

IPK thotë se ka pranuar dje një informacion nga Policia në Suharekë lidhur me një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë.

Ngjarja ka ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin reaguar në një incident në Suharekë.

Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe duke dalë në vendin e ngjarjes për të vërtetuar ankesën e qytetarit.

Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj dy zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

Gjithashtu hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

Lexo edhe:  Kapen 6 hajna të "frikshëm" në Lipjan, dëmi i vjedhjes shkon në 150 mijë euro