Dyshime për mashtrime në prerjen e drujve: I riu e rrah keq një person në Istog

Përveç çmimeve të larta që kanë drunjtë për ngrohje, një problem tjetër janë edhe mashtrimet me të cilat përballen qytetarët kur bëhet fjalë për sasinë e saktë të drujve për të cilën paguajnë. Me të tilla dyshime u përball edhe një person në fshatin Cerrcë të Istogut, por që hasi në telashe me të riun që e pagoi.

E gjithë ngjarja ka ndodhur dje gjatë ditës, kur një person dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një 22-vjeçar, të cilin e pagoi që t’ia priste dhe t’ia bartte drutë për dimër.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjithçka ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjes që kishte viktima me të dyshuarin, pasi 34-vjeçari dyshonte se nuk janë të gjithë drujtë të cilët i ka kërkuar dhe për të cilët janë marrë vesh.

Kjo si duket e ka nervozuar shumë të dyshuarin, i cili pas konfliktit verbal ka eskaluar në dhunë fizike ndaj 34-vjeçarit, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore me anë të goditjeve.

Viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion të Policisë për intervistim, ku para hetuesve policorë e ka pranuar se ka grushtuar viktimën.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Ky është personi që u vra në dasmën në Ferizaj