Dy vëllezërit e arratisur dyshohet se tentuan ta vrasin policin në Veri, detaje të reja nga incidenti me armë

Incidenti me armë që ndodhi mbrëmë në një restorant në veri të Mitrovicës, ku u përfshinë dy vëllezër dhe një zyrtar policor është cilësuar nga Prokuroria si tentim vrasje.

Polici dyshohet se gjuajti në vetëmbrojtje. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy vëllezërit po dyshohen se kanë tentuar ta vrasin policin që ndodhej brenda lokalit.

Sipas të njëjtave burime, ata gjuajtën me armë në drejtim të lokalit dhe posa polici e pa rrezikun që iu kanosej nxori armën dhe iu kundërpërgjigj të dyshuarve me të shtëna. Ata arritën të largoheshin para se njësitë policore shkuan në vendin e ngjarjes.

Dy vëllezërit Luka dhe Milan Sekulic janë ende në arrati si të dyshuar për këtë rast, ndërkohë që për të shtënat që u shkrepën nga polici me armë zyrtare po merret Inspektorati Policor i Kosovës.

Sinjali mëson se njëri prej vëllezërve të dyshuar në momentin kritik dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur. Të armatosur, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë.

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se zyrtari policor i dyshuar në lidhje me këtë rast dyshohet se ka gjuajtur derisa ka qenë jashtë detyrës zyrtare.

Ndonëse ende nuk ka të arrestuar në lidhje me të shtënat, nga IPK deklaruan për Sinjalin se veprimet tjera do të merren në koordinim me Prokurorinë.

“Ju konfirmojmë se IPK është njoftuar për këtë rast dhe se hetuesit tanë janë në vendin e ngjarjes. Veprimet tjera do të ndërmirren në koordinim me prokurorin kompetent dhe autorizimet ligjore të IPK-së.”

02 Press do të ju mbajë të informuar në lidhje me detajet e reja.

Lexo edhe:  E pëson keq qytetari: Dogana i konfiskon ekrana të telefonave në vlerë të madhe

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.