Dy vëllezër shkojnë t’ia kërkojnë paratë e borxhit një burri në Komoran, 46-vjeçari ia resh armës që t’i frikësojë

Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte të cilat pasojnë me kërcënime e konfrontime fizike.

Një rast i frikshëm ka ndodhur dje në Komoran të Drenasit, ku një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri pasi dy persona tjerë shkuan t’ia kërkojnë paratë që ua kishte borxh.

Sinjali mëson se dy vëllezërit kanë shkuar te shtëpia e të dyshuarit A.C.,me qëllim që t’i marrin paratë e borxhit, por me të arritur te dyert e shtëpisë së tij, janë përballur me diçka e cila ishte mjaft e rrezikshme.

I dyshuari me qëllim që t’i frikësojë viktimat, kishte dalë në ballkonin e shtëpisë dhe kishte shtënë me pushkën e tij të gjuetisë në ajër, por që nuk ka pasur pasoja në njerëz.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, armën ilegale që dyshohet se u përdor në rast dhe tre fishekë.

46-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Lexo edhe:  Kërcet grushti mes dy vëllezërve në Fushë Kosovë, intervenon Policia