Dukuria shqetësuese e armëmbajtjes pa leje: Për një ditë zbulohen disa raste, në mesin e të dyshuarve edhe të mitur

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Ajo çka e bën edhe më të rëndë gjithë situatën, është përfshirja e personave të mitur, të cilët shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete tjera të rrezikshme.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se vetëm gjatë ditës së djeshme janë zbuluar disa raste të tilla në rajone të ndryshme të Kosovës.

Dy persona të mitur janë arrestuar në një internet kafe në sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj, pasi të njëjtit janë kapur me armë zjarri, karikator, fishekë, thikë e boks të hekurit. Dy të dyshuarit 17 dhe 16-vjeçarë janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa armët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Po ashtu në fshatin Shtuticë të Drenasit, dy persona tjerë janë shoqëruar në stacion policor për një rast të armëmbajtjes pa leje. Ata u znbuluan pas një videoje të publikuar në rrjetin social Tiktok, ku ekspozohej një armë. Arma është sekuestruar, ndërsa dy të dyshuarit do të hetohen në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Në Polici ka përfunduar edhe një person në Viti, i cili u kap me armë në brez në një kafene. Zyrtarët policorë kanë sekuestruar armën ilegale, ndërsa 32-vjeçari është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin. I njëjti do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Lexo edhe:  Lëndohen rëndë 7 minatorë të Trepçës, iu ra acidi në trup

E, një kroat në fshatin Janjevë të Lipjanit ka dorëzuar në mënyrë vullnetare një armë zjarri me karikatorë, për të cilat nuk posedonte leje të lëshuar nga organet kompetente. Arma bashkë me karikatorët janë sekuestruar nga shtëpia e tij, ndërsa ndaj 75-vjeçarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Me armë ilegale u kap edhe një 36-vjeçar në Prishtinë. Një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Haxhi Zeka’, ka ndalur për kontroll veturën të cilën po e drejtonte i dyshuari dhe gjatë kontrollit është gjetur një armë me karikator dhe fishekë. Arma është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Armën në brez po e mbante edhe një 19-vjeçar në Obiliq, i cili u ndal në një pikë kontrolli në fshatin Dardhishtë. Të dyshuarit iu gjet një armë zjarri bashkë me karikator dhe fishekë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Pas përfundimit të procedurave policor, i dyshuari është liruar dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në një shtëpi në fshatin Buricë të Podujevë, pasi kishte dyshime se disa persona po kryejnë gjueti kundërligjshëm. Gjatë kontrollit, te një 22-vjeçar janë gjetur dhe sekuestruar disa fishekë të armës së gjuetisë. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe me vendim të prokurorit do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Lexo edhe:  Sot i jepet lamtumira e fundit stomatologut nga Prizreni që vdiq tragjikisht

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“