Duket i pastrehë, por ka pasuri milionëshe – pensionisti gjerman shpenzon vetëm 5 euro në muaj për ushqim

Historia e pensionistit Heinz B. nga qyteti gjerman i Darmstadt habiti shumë njerëz. Ai duket si një i pastrehë, por në fakt është milioner.

I moshuari 80-vjeçar është shumë kursimtar, jeton me ushqime të hedhura dhe zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë marramendëse, raporton BILD.

Kur gazetarët e takuan dy vite më parë, ai kishte shtatë shtëpi dhe dy apartamente, ndërsa në llogaritë bankare kishte 500 mijë euro të kursyera.

Tani i kanë mbetur vetëm 15 euro kursime sepse së fundmi ka tërhequr 700 mijë euro dhe ka blerë shtëpinë e dhjetë.

Ai deponoi 100 mijë euro në një bankë tjetër.

“Jetoj me kursim, kështu jam rritur”, tha ai.

Heinz B. është një inxhinier elektrik që merr pension prej 3750 eurove çdo muaj.

Luksi i tij i vetëm është një laptop dhe lidhja me internet. Ai nuk dëshiron të ketë telefon të mençur.

“Kjo do të më kushtonte 10 euro shtesë në muaj”, tha ai.

Pensionisti tregon se për ushqim nuk shpenzon më shumë se pesë euro në muaj. Herë pas here blen vaj ose diçka për zierje në tigan, por pjesa më e madhe e ushqimit që gjen është në koshin e plehrave.

“Njerëzit janë shpërdorues dhe hedhin aq shumë sa mund të ushqesh gjithë familjen! Për shembull, ata blejnë një pako me salsiçe, hanë një dhe pjesën tjetër e hedhin në kosh”, thotë Heinz B.

Fqinjët, ushqimin që duan ta hedhin, e lënë në gardhin e oborrit të tij ndërsa ai i furnizon me sende të ruajtura mirë nga mbeturinat e gjetura, raporton telegrafi.

Kur u pyet se kush do ta trashëgojë pasurinë e tij, ai u përgjigj “nuk e kam idenë. Unë kam disa kushëri të largët, por ata nuk mund të paguajnë tatimin mbi trashëgiminë. Ndoshta do t’ua jap shtëpitë qiramarrësve”.

Lexo edhe:  Gjendet gruaja nga Skënderaj, kthehet në shtëpi në gjendje të mirë