Droga në çdo qoshe të veturës – arrestohen dy të rinj në Ferizaj, u kapën me marihuanë, hashash dhe kokainë

Një operacion i Njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Ferizaj ka çuar në arrestimin e dy të rinjve, të cilët u kapën me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme gjatë një ndalese në magjistralen Ferizaj–Kaçanik.

Ngjarja ka ndodhur më 29 korrik 2025, rreth orës 21:30, në afërsi të Qendrës Tregtare “Eli Ab”, ku policia ndaloi një veturë të dyshimtë të tipit Audi A3, me targa 01-900-UL, në të cilën ndodheshin Fadil Jakaj, rreth 27-vjeçar dhe Denis Lalinovci, rreth 26-vjeçar.

Gjatë kontrollit të detajuar, në veturë u gjetën dhe u konfiskuan disa lloje substancesh narkotike, të futura në cigare, pako të zbrazëta dhe qese plastike, përkatësisht: 4.20 gr marihuanë, 5.29 gr hashash (“çokollatë”), 0.36 gr kokainë, 0.78 gr marihuanë në formë cigare, 0.58 gr marihuanë në qese, 2 telefona iPhone dhe një veturë Audi A3.

Fadil Jakaj ka pranuar se shumica e substancave i përkisnin atij, përfshirë kokainën dhe hashashin, ndërsa Denis Lalinovci ka deklaruar se një nga pakot me marihuanë ishte e tij.

Të dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në Stacionin Policor në Ferizaj, ku janë marrë në pyetje në prani të avokatëve të tyre. Me vendim të Prokurorit të Krimeve të Rënda, të dy janë ndaluar për 48 orë.

Hetimet vazhdojnë për të verifikuar burimin dhe qëllimin e posedimit të substancave narkotike.

Lexo edhe:  Drenicasi organizonte skema piramidale e bixhoz, arrestohet nga policia