Drejtori i shkollës sulmohet nga babai i nxënësit që e denoncoi në Polici

Incidentet në institucionet arsimore në vendin tonë nuk janë edhe fort të rralla dhe në shumicën e këtyre rasteve të përfshirë janë nxënësit. Një rast i tillë që dyshohet se ndodhi dje në një shkollë në Lipjan eskaloi edhe në sulm ndaj drejtorit. Dy persona përfunduan në Polici si të dyshuar për rastin.

Siç merr vesh Sinjali, rasti ka ndodhur në shkollën fillore “Kadri Beba” në fshatin Ribar i Madh në Lipjan, ku fillimisht një nxënës dyshohet se e kishte sulmuar një nxënëse tjetër.

Denoncimi i rastit në Polici nga drejtori i shkollës, Nehat Tërpeza i kushtoi atij, pasi babai i nxënësit të dyshuar, shkoi të kërkonte llogari në zyrën e tij.

Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht drejtorin e shkollës në shenjë revolte për lajmërimin e rastit ku ishte përfshirë i biri, ndaj të cilit ishte hapur rasti.

Edhe për incidentin e dytë është vënë në dijeni Policia dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Lexo edhe:  Përleshen mes vete tre vëllezër , kjo është arsyeja