Drejtori i Policisë viziton familjen e Bunjakut

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka vizituar familjen e ish-rreshterit Afrim Bunjaku, që është vrarë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit nga persona të armatosur serbë.

Në një komunikatë për media, Policia njoftoi të dielën se Bunjaku do të kujtohet për heroizmin e tij, e për familjen do të jetë gjithmonë pranë duke u ofruar mbështetjen e nevojshme.

“Në emër të Policisë së Kosovës drejtori Hoxha edhe njëherë gjatë kësaj vizite falënderoi familjen e Heroit Bunjaku për sakrificën dhe kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës, me ç ‘rast i siguroi ata se Policia e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë tyre duke kujtuar heroizmin e Afrimit dhe duke ofruar përherë mbështetjen e nevojshme për familjen e tij. Familjes Bunjaku nga drejtori Hoxha iu dorëzua edhe një pllakatë me emrin e Heroit Rreshter Afrim Bunjaku, e cila ishte dhuruar nga Shoqata shqiptaro-amerikane (AALEA US ) e dedikuar për Heroin e Kosovës. Policia e Kosovës do ta kujtoj përherë heroin Afrim Bunjaku dhe të gjithë heronjtë e tjerë të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për qytetarët dhe vendin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa, drejtori Hoxha me stafin kanë takuar edhe zyrtarët policorë në pikë kalimin kufitar Jarinj, për t’i falënderuar për angazhimin.

Lexo edhe:  Ministri Mehaj viziton nënën e dëshmorit Taulant Nura, e cila u sulmua ditë më parë nga një infermiere