Drejtori i FC Malishevës: Lojtari 14-vjeçar humbi jetën në aksident trafiku, u godit nga një veturë

Vdekja e hershme e futbollistit 14-vjeçar të Malishevës, Drinor Berisha, ka tronditur sportin dhe vendin ditën e sotme (e enjte).

Lajmin për vdekjen e futbollistit të ri e bëri të ditur FC Malisheva, me anë të një postimi në faqen zyrtare në Facebook.

Drejtori sportiv i Malishevës, Milaim Berisha në një prononcim të shkurtër për lajmi.net, tha se lojtari 14-vjeçar humbi jetën në aksident trafiku.

“Ka humb jetën në aksident trafiku. Është goditur nga një veturë teksa po kthehej në shtëpinë e tij, në fshatin Burim” – ka thënë Berisha për lajmi.net.

Drinor Berisha ishte pjesë e grupmoshave të Shkollës së Futbollit të FC Malishevës.

Klubi malishevas i ka shprehur ngushëllime familjes.

“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarje nga jeta të Drinor Fitim Berishës, futbollist i grupmoshave të Shkollës sonë të Futbollit. Lajmi për vdekjen tragjike të Drinorit na ka trishtuar e pikëlluar të gjithëve. Ikja e tij e hershme nga kjo botë është dhimbje e madhe dhe humbje e pazëvendësueshme për familjen, por edhe për bashkëlojtarët e tij dhe të gjithë neve në klub. Në këto momente të vështira për familjen, lusim Zotin që të gjeni forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe dhe ta kujtoni Drinorin përherë me krenari. U prehsh në parajsën e paskaj ti shpirt i ëmbël”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:  Policia e Kosovës i prezanton dronët që i mori donacion nga ShBA-ja