“Do t’iu vras”/ Nëna në Mitrovicë të Veriut denoncon të birin në Polici, thotë se e kërcënoi me jetë
Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Mitrovicë të Veriut, ku një grua ka hasur në konflikt me djalin e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se nëna e cila ishte e pajisur me urdhër të mbrojtjes nga Gjykata, ka deklaruar në Polici se djali i saj në gjendje të dehur e ka kërcënuar me jetë.
Bazuar në dëshminë e saj, 43-vjeçari e ka shtyrë dhe i ka thënë se do ta vrasë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion të Policisë, ku është përballur me denoncimin ndaj tij.
Me urdhër të prokurorit, 43-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mospërfillje e gjykatës’.