“Do të mbysë me rryp e do të gjuaj nga ballkoni”, arrestohet burri nga Ferizaji që kërcënoi gruan!

Mosmarrëveshjet mes çifteve shpesh herë eskalojnë në kërcënime e dhunë fizike. Për një rast të tillë që ka ndodhur në Ferizaj ka raportuar mbrëmë. Këtë herë viktimë ishte një grua 35-vjeçare, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të frikës nga bashkëshorti. Si rezultat i denoncimit, i dyshuari u arrestua dhe përfundoi në ndalim policor.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari për këtë rast është Sadat Idrizi, i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë, për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.

Por si ndodhi rasti dhe cilat janë detajet?

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 10:00 në mëngjes, kur burri dyshohet se e ka kërcënuar gruan e tij duke i thënë se do e mbysë me rrip dhe do e gjuajë nga ballkoni i shtëpisë. I njëjti e ka paralajmëruar viktimën që nëse lajmëron Policinë, të bëjë gati qefinin (material me të cilin mbështillen kufomat).

E tronditur nga ajo situatë, gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer se si vazhdimisht bashkëshorti ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj,

Ndonëse e kërcënuar e me frikë të madhe, denoncimi i saj u bë ‘sebep’ që i dyshuari të arrestohet. Ai u shoqërua në stacion policor ditën e raportimit të rastit, ku ka mohuar të ketë pasur probleme me bashkëshorten dhe vetëm ka qortuar vajzën e tij.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Furgoni me targa gjermane shpërfillë Policinë dhe tenton të ikë, policët e kapin – i gjejnë shoferit armë zjarri