“Do të mbaj në zemër përherë” – Vëllai i Luan Krasniqit ndahet nga jeta
Një humbje e rëndë ka goditur familjen e ish-boksierit të njohur shqiptar, Luan Krasniqi. Ai ka njoftuar për ndarjen nga jeta të vëllait të tij të madh, Ramiz Krasniqi.
Përmes një postimi, Krasniqi ka shprehur dhimbjen për humbjen e njeriut të tij më të afërt, të cilin e përshkruan si figurë atërore dhe mik jete.
“Sot është ndarë nga jeta vëllai im i madh, Ramizi – vëllai im i dashur, shoku im i jetës, figura ime atërore. Ikja e tij ka lënë një boshllëk të madh në zemrën time, një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë,” ka shkruar ai.
Në dedikimin prekës, Krasniqi e kujton të ndjerin si një njeri me karakter të fortë dhe virtyte të larta.
“Ramizi ishte më shumë se një vëlla për mua. Ai ishte njeri me forcë dhe parime të forta – një shembull i rrallë, i cili më udhëzoi dhe më frymëzoi gjatë gjithë jetës sime. Jeta e tij ishte e mbushur me përgjegjësi, dhe dashuri për familjen. Ajo që e bënte Ramizin të veçantë ishte madhështia e tij e heshtur – nuk kërkonte kurrë vëmendje, por kur fliste, të gjithë e dëgjonin. Kur ishte pranë, ndiheshe i sigurt. Dhe kur e kishe nevojë, ai gjithmonë ishte aty – i palëkundur dhe i besueshëm si askush tjetër.”
Në fund të mesazhit, ish-kampioni shpreh mirënjohjen e përjetshme ndaj vëllait të tij, duke theksuar se kujtimi për të do të jetojë gjithmonë në zemrën e tij.
“Jam thellësisht mirënjohës për vitet që ndamë së bashku, për këshillat e tij, për ngrohtësinë dhe dashurinë që më dha pa kushte. Ramiz, ti ishe dhe do të mbetesh gjithmonë një model për mua. Do të të mbaj në zemër – sot, nesër dhe përherë. Me dashuri dhe dhimbje, vëllai yt i vogël Luani”, përfundon postimi i Krasniqit.