Djali ushtron dhunë ndaj babait, e lëndon veten dhe del me thikë në qytet, Policia arrin ta arrestojë
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një person në Fushë Kosovë, i cili e ka denoncuar djalin e tij për dhunën që ia ka shkaktuar.
Sinjali mëson se viktima ka deklaruar se i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij e më pas e ka lënduar veten, duke i shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.
Për të mos mbaruar me kaq, pas disa orësh i dyshuari e ka marrë një thikë dhe është larguar nga shtëpia.
Përballë kësaj situate, është denoncuar rasti dhe si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.