Djali 33-vjeçar rrah babain e tij në Prizren, nuk kishte para për t’i dhënë
Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Një rast i tillë i rëndë është raportuar të ketë ndodhur sot në rrugën ‘1 Tetori’ në Prizren, ku një burrë e ka denoncuar djalin e tyre për dhunë në familje.
Burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se prindi që është në hall me të birin ka vendosur ta raportojë rastin në Polici, ku skajshmërisht i shqetësuar ka rrëfyer për dhunën e ushtruar nga i biri 33-vjeçar.
Sinjali mëson se nga deklarata e tij është kuptuar se djali fillimisht i kishte kërkuar të holla babait të tij dhe pasi ky i fundit nuk kishte pasur para për t’i dhënë është përballur me dhunë. Sipas informacioneve të para, pas zënkës mes tyre, i dyshuari V.B., e ka sulmuar fizikisht prindin e tij, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.
Përballë kësaj situate, viktima kanë kërkuar ndihmën e Policisë, para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i këtij denoncimi, Policia ka arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit për veprën me të cilën ngarkohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit dhe është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”.