Dhunë psikike dhe fizike, gruaja nga Gjakova e denoncon burrin dhe kërkon urdhër mbrojtës
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Për një rast të tillë ka rrëfyer në Polici një grua nga fshati Skivjan në Gjakovë, e cila e denoncoi bashkëshortin e saj.
Sinjali mëson se në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë i dyshuari e ka sulmuar fizikisht pasi fillimisht kishte shkuar në shtëpi i revoltuar, për shkak të një konflikti verbal mes tyre.
Dhuna psikike eskaloi në dhunë fizike dhe i dyshuari iu ka vërsulur bashkëshortes, duke i shkaktuar lëndime trupore, por edhe shqetësim e frikë.
Raportimi i viktimës e bëri Policinë të aktivizohet dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën “Dhunë familje”, ndërsa gruaja ka kërkuar urdhër mbrojtës.